Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka dalë në një deklaratë për mediat pas mbledhjes me deputetë.
Ai tha se diskutuan mbi situatën e krijuar në PS ndërsa tregoi dhe kërkesat e opozitës për të cilat kjo e fundit është revoltuar.
Bardhi mes tjerash theksoi se mazhoranca është e detyruar të pranojë komisionet hetimore, ndërsa tha se nuk do të pranojnë provokime nga ana e qeverisë.
“Grupi Parlamentar i PD-së diskutoi mbi situatën që ka krijuar PS duke vijuar me asgjësimin, me akte që asgjësojnë opozitën në parlament. Revolta e deputetëve të opozitës në veprimtarinë e Kuvendit ka të bëjë me tre kërkesa tërësisht të drejta themelore të deputetëve të opozitës. 45 deputetë të opozitës kanë nënshkruar dhe depozituar zyrtarisht ngritjen e tre komisioneve hetimore dhe mazhoranca sipas Kushtetutës është e detyruar të pranojë ngritjen e këtyre komisioneve hetimore. Së dyti, përbërja e Komisioneve zgjedhore ka qenë dhe mbetet prioritet i grupit parlamentar të PD-së dhe do të duhet që mazhoranca të heqë dorë nga tentativa për të diktuar se kush do të jenë përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të PD-së. Kam dorëzuar një propozim për përbërjen e Komisionit. Nuk mundet dot kundërshtari politik të na thotë nuk duam këto por duam atë që dëshirojmë ne. Së treti Lindita Nikolla duhet të sillet si kryetare e Kuvendit, të respektojë Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Mazhoranca vijon me arrogancë provokimin e opozitës. Do i përgjigjemi me mjete demokratike. Do të mbrojmë mandatet tona”-tha ai.