Partia Socialiste ka mbajtur këtë të premte Asamblenë e Zgjeruar në Fier. Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij, gjatë së cilës u zotua për rroga 900 euro dhe asnjë taksë të rritur në vitin 2024.
Kryeministri u ndal dhe te rritja e ndjeshme e turizmit gjithashtu, ku theksoi se ka pasur një rritje me 80% krahasuar me po të njëjtin muaj të një viti më parë.
“Nga janari në tetor ne kemi prekur numrin e 9 milionë turistëve në Shqipëri. Për të qene të saktë, është 8.92, por gjithsesi është një shifër që do të ishte e paimagjinueshme deri disa vite më parë,” – sqaroi Rama.
Deklarata për pagat dhe taksat:
Ekonomia është më mirë, por duhet të bëhet më mirë. Vijmë tani te buxheti, vitin e ardhëm ne do ta çojmë pagën mesatare 900 euro. Mos harrojmë që sot një ndër faktet më kokëforta për progresin që po flas, është kokëfortësia e lekut.
Asnjë taksë nuk do të rritet. Jemi i vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me 0 taksë. Se ka asnjëri dhe 0 TVSH se ka asnjëri. Ndërkohë jemi duke diskutuar që edhe nivelin e taksës mbi pagën, të bëhet një rishikim që nga rritja e pagës në nivelin e lartë. Deri dje kishim 1 mln si vlerë të lartë, sot nuk është më ajo shifër.