PD zbardh kërkesën për interpelancë me Ramën: Marrëveshjen për emigrantët do e çojmë në Kushtetuese

Shqipëria

PD zbardh kërkesën për interpelancë me Ramën: Marrëveshjen për emigrantët do e çojmë në Kushtetuese

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 16:55
Kuvendi i Shqipërisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka deklaruar se ka depozituat kërkesën në emër të PD për interpelancë urgjente me kryeministrin Rama për marrëveshjen me Italinë për vendosjen në Shqipëri të mbi 36 mijë emigrantëve nga Afrika e Veriut për çdo vit.

Ai ka deklaruar se kjo çështje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë me ligjet e Kushtetutën e vendit.

Me datë 06 Nëntor 2023 nëpërmjet një konference të transmetuar drejtpërdrejt nga media jemi njohur me faktin se Shqiperia, e përfaqsuar nga Kryeministri, nënshkroi një marrëveshje ne Italianë për emigrantët.

Në baze të deklaratave publike për objektin e marreveshjes rezulton se Shqipëria do të kthehet në një bazë, (mediat informojnë për dy kampe të mëdha me kapacitet jo më pak se 3.000 persona) ku do të strehohen emigrante nga Afrika Veriore të mbërritur në mënyrë të paligjshme në kufirin jugor të Italisë.

Marrëveshja e nënshkruar sot duket se është diskutuar mes dy kryeministrave, italian dhe shqiptar, për një kohë të gjatë. Çështja e emigrantëve është prej kohësh shqetësim për vendin fqinj dhe po ashtu është çështje debati politik jo vetëm në Itali, por edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian Çështja e emigrantëve sjell shqetësime të mëdha për çdo vend anëtar të Bashkimit Europian, jo vetëm për përballimin e situatës humanitare por edhe të sigurisë kombëtare të secilit prej tyre. Siç është bërë e ditur në Portin e Shëngjinit do të ngrihet qendra për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë, dhe një tjetër strukturë do të ngrihet në Gjadër për akomodimin e tyre.

Kjo qendër parashikohet që të jetë gati në pranverën e ardhshme, pikërisht kur nis dhe sezoni turistik. Ky lajm vjen si surprizë në Shqipëri, pasi nuk ka pasur asnjë debat politik apo publik për një çështje kaq sensitive për qytetarët dhe për mbarë vendin. Me te drejtë opinioni publik është i shqetësuar pasi flukse të tilla njerëzore sjellin në mënyrë të logjikshme lëvizje të ekuilibrave social dhe ekonomik të zonave ku këta refugjate do të vendosen. Po ashtu krijon pasiguri në kapacitetet e qeverise shqiptare për të përballuar këtë fenomen pa krijuar probleme të sigurisë, stabilitetit ekonomik apo social të brendshëm. Për sa më lartë me qëllim marrjen e informacioneve dhe për të bërë transparencë, përpara qytetarëve shqiptarë të arsyeve që kanë çuar Kryeministrin e Shqipërisë në këtë vetëofrim, pa asnjë kosultim publik, kur vendet europiane e kanë refuzuat atë, pavarësisht kapaciteteve për të menaxhuar këtë fluks emigrantësh, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 80, pika 1 të Kushtetutës dhe të nenit 96 pika 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama.”-thuhet në kërkesën e PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat