Deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani i ftuar në emisionin “Drejt” të moderuar nga Luan Rama në “Ora Neës” komentoi krizën politike në vend dhe tensionet në sallën e seancave plenare dhe ato të komisioneve parlamentare gjatë javës.
Dogjani theksoi se edhe kjo e enjte ishte një ditë problematike, por që dalëngadalë po kthehet në rutinë të zakonshme.
“Kjo për shkak se qeveria, mazhoranca vazhdon rrugën e saj të arrogancës, ku vazhdon ta trajtojë Kuvendin si njëpronë private, duke ndaluar opozitën të bëjë detyrat dhe të drejtat e saj kushtetuese”, u shpreh Dogjani.
Po ashtu ligjvënësi demokrat theksoi se askush nga deputetët e opozitës nuk ka dëshirë të përballet në derën e parlamentit dhe të përballet me Gardën, as të shmangë debatin për buxhetin që prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë xhepat e shqiptarëve.
“Ndaj ne nuk kemi dëshirë as të dalim me flakadanë dhe as me tymuese por ne duhet ta shikojmë historinë e këtyre viteve, apo të paktën të 6 muajve të fundit. Por ne kemi kërkuar komisione hetimore për çështjet që kanë shqetësuar opinionin publik por edhe faktorin politik kombëtar dhe ndërkombëtar.
Por ne jemi vendosur përballë në këtë situatë dhe nuk na jepet asnjë e drejtë dhe nuk lejohen fare këto komisione. Të gjendur në këtë situatë, jemi detyruar të veprojmë kështu siç po bëjmë tani”, theksoi ndër të tjera deputeti Asllan Dogjani.