Deputeti i Partisë Demokratike Tomor Alizoti ishte këtë të shtunë i ftuar në Euronews Albania ku ka folur për marrëveshjen e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.
Ai tha se kjo çështje është një problem i nivelit global të cilin nuk e kanë marrë përsipër shumë vende më të zhvilluara se ne, ndaj nuk mund të pretendojmë se Shqipëria me një popullsi 2.8 milionë banorë mund ta përballojë.
“Asnjë vend tjetër nuk e ka pranuar. Kjo ofertë ka qenë për Tunizinë para një viti dhe nuk e ka pranuar, nuk e ka pranuar Spanja që është me 47 milionë banorë, nuk e pranon Maroku me 37 milionë banorë. Nuk e pranon, ose nuk po do ta përballojë Italia me 60 milionë banorë, nuk po e pranon asnjë vend tjetër në Europë.
Si mundet nga ana teknike, një vend me 2.8 milionë banorë me censusin e vjetër me një rrip toke 28 mijë katrorë të përballojë këtë problem i cili është problem global. Është problem botëror. Perëndim- Lindje, ky do jetë konflikti i ardhshëm. Si do e përballojë Shqipëria këtë? Nëse ti ke një shpi për tre veta dhe të vijnë 100 veta në shtëpi, si do e përballoni? do vdisni bashkë me ta”,-tha Tomor Alizoti.