Pas marrëveshjes së emigrantëve mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane, Giorgia Meloni, disa qytetarë në Lezhë janë ngritur në protestë për kundërshtimin e saj.
Në protestë ka qenë i pranishëm edhe ish-prefekti i qarkut të Lezhës, Gjokë Jaku, i cili ka thënë se qytetarët nuk janë kundër vendimit për shkaqe raciste, por sipas tij, marrëveshja për emigrantët do i sjellë Shqipërisë telashe të reja.
Ai shtoi se sjellja e emigrantëve afrikanë në Shqipëri, mund të sjellë edhe probleme me sigurinë.
“Sjellja e problematikave që vijnë nga emigrimi i paligjshëm nga Lindja e Mesme apo Afrika do të sjellë problematika të sigurisë, të turizmit, por edhe në problemin e funksionimit të infrastrukturës.
Një gjë tjetër që dua ta prek janë përpjekjet e përfaqësuesve të pushtetit që duan ta argumentojnë vendimin si të drejtë me faktin e një sjelljeje të qytetarëve për të prekur racizmin. Nuk është e vërtetë kjo, në Lezhë jeton një komunitet me ngjyrë prej mbi 70 vitesh dhe ata janë të integruar.
Edhe në Shëngjin dhe Gjadër jeton një komunitet me ngjyrë. Këtu as nuk bëhet fjalë për një qëndrim të tillë për një komunitet me ngjyrë, por shtesa telashesh të reja që shteti do të ndeshet”, është shprehur ish-prefekti i Lezhës.