Marrëveshja Rama-Meloni/ Scagliarini: Nuk ka qartësi për kampin e refugjatëve

Shqipëria

Marrëveshja Rama-Meloni/ Scagliarini: Nuk ka qartësi për kampin e refugjatëve

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 16:16
Gazetari italian Massimiliano Scagliarini

Gazetari italian Massimiliano Scagliarini ishte këtë të shtunë i ftuar në një intervistë për Euronews Albania për të folur rreth marrëveshjes për emigrantët të nënshkruar mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij Meloni.

Gazetari tha se kjo marrëveshje është shumë e vështirë të realizohet, ndërsa shtoi se në Itali është pritur me skepticizëm dhe me kritika të shumta.

Ai tha se ende nuk ka shumë qartësi se si do të funksionojë kampi i refugjatëve në Shqipëri, ndërsa theksoi se në Itali kjo çështje po shkohet si një tentativë e kryeministres Meloni për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme të Italisë.

“Mediat italiane janë pak skeptike, pasi marrëveshja konsiderohet si një mënyrë e qeverisë Meloni për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme, të cilat janë probleme mbi ligjin e financave dhe bilancin për qeverinë e vitit 2024. Ka shumë skepticizëm, pasi marrëveshja ka shumë pika të panjohura edhe nga pikëpamja juridike, pasi sipas shumë vrojtuesve, ndoshta shkon edhe ndesh kushtetutës italiane sa i takon materies së emigrimit.

Opozita ka folur sa i takon vështirësive të mëdha të qeverisë por edhe për fillimin e një të ashtuquajture “Guantanamo” në Shqipëri. Madje opozita italiane ka kërkuar largimin e partive shqiptare nga Partia Socialiste europiane, pasi do ishte kundër çdo filozofie që kanë partitë socialiste mbi emigrimin. Mendoj se kjo marrëveshje është shumë e vështirë për tu realizuar. Meloni bëri një marrëveshje të ngjashme me Tunizinë, por nuk u fol më për këtë marrëveshje”,-tha gazetari italian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat