Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e Sokol Bajgorës në fshatin Baltëz të Fierit, për të vjedhur.
Ai ka treguar nga ambientet e spitalit rajonal, aty ku ndodhet për të marrë asistencën mjekësore, gjithë tmerrin e përjetuar në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
“Ndodhesha i vetëm në shtëpi kur 3 persona hynë me forcë në banesë dhe ushtruan dhunë ndaj meje. Nuk arritën të më vjedhin asgjë. Më kanë goditur pa pushim me tytën e armës në kokë, ndërsa mungesa e energjisë elektrike ua vështirësoi punën,” – u shpreh 54-vjeçari.
Pikërisht në pjesën e kokës dhe në fytyrë ka marrë dhe dëmtimet më të shumta, por fatmirësisht situata është nën kontroll dhe ai nuk rrezikon jetën.
Policia ka shoqëruar disa persona në ambientet e komisariatit, ndërsa po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.