Të hënën seanca maratonë për buxhetin, Berisha paralajmëron kaos dhe qëndresë të fuqishme - PS plan B për të votuar draftin

Shqipëria

Të hënën seanca maratonë për buxhetin, Berisha paralajmëron kaos dhe qëndresë të fuqishme - PS plan B për të votuar draftin

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 08:45
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi ka vendosur që debati për buxhetin e ri të diskutohet ditën e hënë. Çdo vit, kjo është cilësuar si seanca më e rëndësishme, e cila ka zgjatur me dhjetra orë, ku secili deputet ka marrë fjalën për të shprehur mendimin e tij. Por ndryshe nga vitet e kaluara, duket se këtë herë buxheti mund të kalojë pa diskutim fare. Të paktën kjo është paralajmëruar nga opozita, e cila ka bërë të qartë se të hënë do të përshkallëzojë aksionin e saj në sallën e Parlamentit.

Pas një takimi që pati mes deputetëve, Sali Berisha doli në një konferencë për mediat dhe paralajmëroi tensione në seancë, duke mos u tërhequr nga skenari bllokues as për buxhetin. “Deputetët e opozitës në emër të popullit opozitar dhe qytetarët që besojnë te vlerat e demokracisë, që konsiderojnë pluralizmin mjetin kryesor të saj, që besojnë që pushtetarët duhet të hetohen nga komisionet parlamentare me transparencë, do pasqyrohet e gjithë veprimtaria, një nen me një rëndësi kapitale duhet të respektohet.

Ligjet, rezolutat amendamentet e opozitës duhet të përcillen në përputhje me procedurën parlamentare. Këto janë kërkesat me themelore, për të cilat deputetët janë të vendosur në këtë betejë pa kthim deri në fitore. E rëndësishme është që shqiptarët do shohin ditën e hënë qëndresën e fuqishme të opozitës në parlament. Kjo është një betejë pa kthim”, deklaroi Berisha.

Megjithatë në kushtet kur opozitarët kanë paralajmëruar një seancë jo normale, mazhoranca ka gati planin B për të vënë në zbatim. Burime për gazetën  “SOT” bëjnë me dije se nëse demokratët do të veprojnë me të njëjtin skenar, atë të mos realizimit të diskutimeve në sallën plenare dhe bllokimin e saj, atëherë kryetarja e Kuvendit do të kalojë automatikisht në votimin e projektbuxhetit, veprim i cili është ndjekur gjatë seancave të fundit, ku janë miratuar ligje pa diskutime. Nëse opozita do të përshkallëzojë më tepër aksionin e saj duke mos lejuar as procesin e votimit të projektbuxhetit, atëherë do të pritet një vendim i momentit i konferencës së kryetarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat