Ish-kryeministri Sali Berisha duhet të paraqitet në orën 10.00 në SPAK, në zbatim të masave të sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalimi daljes jashtë shtetit’, të dhënë ndaj tij nga GJKKO-ja pasi akuzohet për korrupsion pasiv në çështjen Partizani.
Ky është afati i dytë për ish-kryeministrin, ndërsa masa e sigurisë paracaktoi detyrim paraqitje të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Afati i parë ishte më 6 nëntor.
Mirëpo, shanset janë të mëdha që edhe sot të mos paraqitet përballë oficerit gjyqësor. Rreth orës 09.10, Berisha u shfaq sot tek kryesia e Kuvendit së bashku me një grup deputetësh të Rithemelimit, duke theksuar se masa është urdhër i Edi Ramës i lëshuar nëpërmjet mercenarëve të tij, sikurse Kraja.
“Sot unë jam paraqitur në parlament. Sot jam paraqitur në Parlament nuk mund të pranojë kurrë përvetësimin që bën Rama. Është urdhër i Edi Ramës i lëshuar nëpërmjet mercenarëve siç është Kraja, që qëndron në detyrë në shkelje të kushtetutës. Irena Gjoka fshihet parapa krimit. Ata janë shërbëtorë të mjetë që zbatojnë urdhrat e Edi Ramës ndërkohë marrin pushtetin e parlamentit”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, në GJKKO ndodhet avokati i Berishës Genc Gjokutaj, pasi po sot në orën 09:00, mbahet seanca në Apelin e GJKKO për ankimin e Berishës dhe Malltezit kundër masave të sigurisë të dhëna për aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”.