Avokati mbrojtës i Jamarbër Malltezit, i cili mori masën e arrestit të shtëpisë pak ditë më parë, ka kërkuar gjatë ditës së sotme që të çlirohen nga masa e sekuestros preventive rreth 25 asete pasurore, midis tyre edhe llogari bankare, një vilë, apartamente, por edhe aksione të shoqërive që janë nën hetim për dosjen e privatizimit të kompleksit Partizani.
Megjithatë, menjëherë pas nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, Prokuroria e Posaçme dhe zonja Enkeleida Millonai kanë kërkuar që të përjashtohet nga trupa gjyqësore dhe gjykimi i kësaj çështje gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Ilirjana Olldashi, pasi sipas SPAK zonja Olldashi ka konflikt interesi.
Në këtë moment, pasi është depozituar kërkesa e Prokurorisë për largimin e Olldashit nga gjykimi i pasurive të Malltezit, ajo po shqyrtohet prej pak orësh nga një gjyqëtare tjetër.
Gjyqtarja Ilirjana Olldashi pak ditë më parë zbuti masën e ‘arrestit me burg’ në ‘arrest shtëpiak’ për Jamarbër Malltezin.