Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e pranishme në panelet e Samitit të Arbëreshëve në Tiranë, u ndal në rolin e diasporës në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zonja Denaj paralajmëron bashkëpunimin vëllazëror me arbëreshët përmes Ministrisë së Bujqësisë në sektorin e verës.
“Një ditë emocionuese ku arbëreshët nga Siçilia, Puglia, Molise, Basilicata, Calabria, Campania dhe Abruzzo u mblodhën në Tiranë për Samitin e tretë të Diasporës, të organizuar nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama.
Ky aktivitet përcolli solidaritetin e kombit tonë përtej Adriatikut, me ruajtjen e vlerave dhe traditës në komunitet.
Pjesë e aktiviteteve ishte edhe panairi i hapur i rajoneve arbëreshe, i cili do të vazhdojë dhe ditën e nesërme me prezantimin e produkteve tipike të ushqimit dhe artizanatit, duke u dhënë mundësinë vizitorëve të njihen me pasurinë kulturore arbëreshe. Me vizionin e Kryeministrit Rama, do të forcojmë bashkëpunimin vëllazëror me arbëreshët përmes Ministrisë së Bujqësisë, veçanërisht në sektorin e verës, duke zhvilluar aktivitete të përbashkëta për promovimin e verës shqiptare, krijuar nga arbëreshët dhe kantinat vendase”, shkroi ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj.