Shifra marramendëse, apartamente dhe “BMW”, zbardhet skema e pastrimit të parave në Korçë

Shqipëria

Shifra marramendëse, apartamente dhe “BMW”, zbardhet skema e pastrimit të parave në Korçë

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 12:38
Foto ilustrim

Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet e nisura në vitin 2020 dhe ka dërguar për gjykim dosjen për 2 persona të cilët akuzohen për pastrim parash të ardhura nga veprimtaria kriminale e trafikut të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit të prokurorisë, i pandehuri E.D akuzohet se ka kryer veprimtari kriminale të trafikut të drogës dhe paratë e përfituara i ka fshehur duke blerë një pronë me vlerë tregu 30.550.000 lekë të cilën e ka vendosur në emër të shtetases L.K e cila akuzohet si bashkëpunëtore e tij në pastrimin e parave të drogës. Më pas 61-vjeçarja L.K ia ka transferuar këtë pronë bashkëjetueses së 35-vjeçarit E.D.

Ky i fundit dyshohet se i ka investuar paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal edhe në blerjen e një apartamenti me vlerë 50 mijë euro dhe një automjet tip “BMW” të cilin e ka vendosur në emër të bashkëjetueses së tij E.M.

“Nga hetimi, rezultoi se i pandehuri E.D., ka kryer veprimtari kriminale në fushën e mbajtjes, tregtimit, trafikimit të lëndëve narkotike, që vërtetohet nga dënimi i tij me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal si dhe arrestimi nga policia federale gjermane për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Nga kjo veprimtari kriminale, i pandehuri ka krijuar pasuri të konsiderueshme, të cilat i ka fshehur duke kthyer në pasuri të paluajtshme, konkretisht ndërtesë trekatëshe në rrugën “Naum Kristo Voskopoja”, Korçë, i cili sipas akt ekspertimit të datës 9.1.2023, rezulton me vlerë tregu 30.550.000 lekë,” thuhet në një pjesë të deklaratës së prokurorisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat