Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, është shprehur se SPAK do të rivendosë balancën e tregut, duke bërë që të pandershmit të mos përfitojnë më shumë se të ndershmit.
Komentet Karamuço i bëri në “Barometri” në Euroneës Albania, ku po komentonte sondazhin i cili tregonte se 30.8 % e të pasurve besojnë te SPAK.
Ai tha se të pasurit e ndershëm janë ndeshur me shumë padrejtësi në punët e tyre dhe shikojnë te SPAK besim se do të rivendosë balancën e tregut.
“Shikoj te çështja e vlerësimit që janë shumë të pasur, pavarësisht se shumë prej tyre janë pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe thonë jo mos më pyet për 1 milionëshin e parë, duke iu referuar Berluskonit dikur, por personat e pasur që i kanë bërë me djersë paratë gjatë gjithë vitit, kanë pasur probleme me konkurrencën, me gjobat, me tregun e pandershëm, hakmarrjet, etj dhe mendoj se SPAK do të rivendosë balancat e tregut, ku i pandershmi nuk mund të marrë më shumë merita sesa i ndershmi. Dhe kjo është një arsye pse ata kanë kaq shumë besim te SPAK”, u shpreh Karamuço.