Aksi i rrugës së Arbrit, bypass-Qafë Murrizë, e cila ditën e djeshme u bllokua për shkak të reshjeve të dendura të dëborës është rihapur për qarkullimin e automjeteve.
Policia bëri me dije se edhe akset rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë; Bulqizë-Ura Vashës-Klos; Klos-Burrel-Ulëz, janë të hapura.
Mbrëmjen e djeshme, Policia e Dibrës u angazhua duke iu ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe pasagjerëve që mbeten të bllokuar në Qafë Murrizë, ku me mjetet e policisë të kalueshmërisë së lartë bënë evakuimin e tyre. Firmat e mirëmbajtjes së këtyre akseve rrugore po vijojnë në hedhjen e kripës dhe pastrimin e rrugës nga akulli.
“Policia e Dibrës është e gjitha në gatishmëri të plotë dhe iu bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës, të shmangin lëvizjet e panevojshme në rrugë, të tregojnë kujdes maksimal pasi ka prezencë akulli në rrugë, të përdorin gomat dimërore dhe mos të qarkullojnë pa mjetet antirrëshqitëse”, apelon policia.