Mes tymit dhe flakadanëve, përfundon seanca në Kuvend

Ashtu siç nisi edhe përfundoi, me tensione, tym e flakë. Seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvendin e Shqipërisë u karakterizua nga përplaset e deputetëve opozitarë që mbështesin Berishën, me Gardën e Republikës, por jo vetëm.
Flamur Noka, Albana Vokshi, ishin disa prej deputetëve që ndezën flakadanë në Kuvend. Megjithë kontrollet e ushtruara nga garda, sërish flakadanët hynë në sallë.
Deputeti Noka u përplas me gardistët dhe u përjashtua nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Megjithatë, Noka nuk u përmbajt, por ndezi sërish flakadanë, por edhe u vuri flakën disa letrave.
Sali Berisha pati përplasje verbale me socialistin Vullnet Sinaj, i cili më parë u grushtua nga mbështetësi i ish kryeministrit, Sali Berisha.
Seanca nuk zgjati shumë, teksa fjalimet e pakta të socialistëve, thuajse nuk u dëgjuan, për shkak të zhurmës së krijuar nga Rithemelimi. Në seancë, mungoi kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Po mbajnë lart flakadanët. Mund të shikoni përplasjet e Flamur Nokës me gardën. Një flakadan është hedhur te socialistët. Kryeministri Rama mungon. Garda u përpoq që të elemintonte çdo send të deputetëve të opozitës, por nuk pati rezultat. Flakadanët hynë sërish në seancën plenare. Ka një përplasje verbale të Sali Berishës me socialistin Vullnet Sinaj. Mund të shikoni Arbër Agalliu, mbështetës i Bashës, nuk po merr pjesë në aksion, por po qëndron në seancë. Edhe Agron Gjekmarkaj po e ndjek seancën, por nuk po i bashkohet aksionit të deputetëve. Mungon Lulzim Basha, mungon Edi Rama. Nuk shoh aleatë të opozitës, përveç Erisa Xhixhos të Partisë së Lirisë. Flakadani iu hodh Kryetares së Kuvendit, por u kap nga garda. Socialistët po mbajnë disa fjalime tyë cilat nuk dëgjohen. U ndez një flakadan tjetër nga Albana Vokshi”, raportoi gazetarja e ABC News, Esiona Konomi