Autorët e vrasjes së Entjan Nikulaj dyshohet se janë vrasës me pagesë, të cilët aktivitetin kriminal e kanë kryesisht në zonën e Fushë Krujës dhe Kurbinit. Sipas gazetarit Besar Bajraktaraj, hetuesit kanë dyshime të forta se janë 3 persona që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e 40-vjeçarit, 2 prej të cilëve, të armatosur me automatikë dhe tjetri në rolin e shoferit.
Kamerat e sigurisë të sekuestruara në afërsi të vendit të ngjarjes nuk i ka ndihmuar hetuesit në identifikimit të autorëve, pasi mjeti ishte me xhama të zinj. Në to, rezulton se viktima është mbajtur nën vëzhgim për të paktën 2 ditë më radhë.
Burime për gazetarin bëjnë me dije se mjeti i përdorur në krim, i djegur pas ngjarjes në afërsi të Rinasit, rezulton të jetë i vjedhur më herët në Tiranë, njëlloj si edhe targat.
40-vjeçari Entjan Nikulaj u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e së shtunës, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Viktima ishte djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, biznesmenit të vrarë në Prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin.
Hasmëria shumë vjeçare mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj bën që edhe në rastin konkret dyshimet kryesore të jenë se motiv për këtë ngjarje është pikërisht gjakmarrja.