Eksperti i Ekonomisë, Mateo Spaho, është shprehur se qytetari që shkon për të marrë një shërbim dhe detyrohet të japë ryshfet, nuk është aq fajtor sa të korruptuarit.
Komentet Spaho i bëri në emisionin “Barometri” në Euronews Albania, ku tha se qytetarit nëse nuk do të japë ryshfet për marrjen e një shërbimi, do i duhet të përballet me një strukturë të tërë, gjë që sipas tij është e pamundur.
“Kemi qenë pak të ashpër me qytetarët, duhet të jemi pak më të butë. Ju jeni një person që ka një hall, doni të merrni një shërbim të caktuar.
Shkoni në një institucion. Ai nëpunësi që shkoni atje të kërkon ryshfet, ta kërkon se ashtu është zgjuar në mëngjes, apo është pjesë e një strukture dhe mesazhi që e merr.
Ti e di që po e denoncove, shërbimin nuk do e marrësh. Ti kur shkon si qytetar nuk ke përballë një qytetar, por një strukturë. Qytetari shkon në një situatë kur e ka shumë të vështirë t’ja dalë mbanë pa korrupsion kur struktura është e kapur”, tha Spaho.