Elton Qyno ka reaguar për herë të parë pas publikimit të lajmit se prej orës 11:00 të paradites së sotme ndodhej në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Nga banesa e tij Qyno është shprehur se u mbajt në SPAK deri në orën 17:00 dhe u njoftua se kishte një vendim Gjykate për t’i kontrolluar shtëpinë, zyrën dhe automjetin.
Ndër të tjera gazetari u shpreh se pas deklaratës së dhënë ka patur presione për të treguar burimin e informacionit.
Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar me dhjetëra gazetarë në mbështetje të kolegut, ndërsa kërkojnë nga SPAK që urgjentisht të bëjë transparencën e seancës së sotme me Qynon.
Një reagim vjen edhe nga gazetari Trashgim Sokolaj, i cili shprehet se "t’i kërkosh burimin e informacionit një gazetari, është njësoj si t’i thuash prokurorit "më jep ta lexoj dosjen që ke në hetim".
“Jam kundër çdo kontrolli, presioni, shoqërimi apo trysnimi të gazetarëve për burimin e informacionit.
Autorët e rastit të gazetarit Elton Qyno duhet të bëjnë transparencë dhe të japin llogari për arsyet dhe për mënyrën si kanë vepruar.
Përdorimi i forcës, i ligjit, i pushtetit dhe kompetencave për ta detyruar një gazetar për të treguar burimin, është një keqpërdorim i rëndë i pushtetit”, shprehet Sokolaj.