Kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria nuk ka përfituar asgjë nga marrëveshja e firmosur me Italinë, për emigrantët.
Rama tha se marrëveshja është ajo që lexohet dhe se është firmosur në emër të dy vendeve që nuk shohin ngjyrat e partive për bërë diçka pozitive.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria ka ofruar disponibilitetin e territorit, ndërsa atyre që bëjnë moral u tha ‘o na thoni si bëhet më mirë, ose heshtni’.
“Kur lidhëm këtë marrëveshje kam dëgjuar gjëra që nuk ma rrokte mendja forcën e imagjinatës dhe fantazinë e atyre që më pyesnin se çfarë qëndron pas kësaj; para? Madje kanë folur edhe për një marrëveshje për ngritjen e një centrali bërthamor sekret në Shqipëri. Për çfarë? Një bombe bërthamore të fshehtë. Kanë folur për çdo gjë.
Marrëveshja është ajo që lexohet, është me shumë mirëbesim, solidariteti, vëllazërie, mes dy qeverish, që në emër të dy vendeve të tyre nuk shohin ngjyrat e partive, por të vendeve të tyre për të bërë diçka pozitive. Vërtet nuk ka asgjë tjetër.
Ka patur nga ata që më kanë pyetur se çfarë përfiton Shqipëria? Pastaj duhet të bëj pyetjen, çfarë ka përfituar Itali me dhjetëra qindra herë që na ka ndihmuar. Kemi kaluar momente në historinë tonë të tranzicionit mjaft të rrezikshme ku kemi rrezikuar të humbasim vendin tonë me skema piramidale. Prekëm luftën civile dhe erdhën ushtarakët e vullnetarët italianë dhe na ndihmuan në këmbim të asgjëje. Pastaj kur ndodhi tërmeti, erdhën sërish djem dhe vajza për herë të parë në Shqipëri. Çfarë kërkuan në këmbim? Para, ndonjë gjë tjetër? Asgjë. Atëherë pse ne duhet të kërkojmë para. Ne kemi ofruar disponibilitetin e territorit. Pastaj të shohim nëse do të funksionojë. Kemi bërë gjithçka që të funksionojë. Për ata që bëjnë moral, u them ‘o na thoni si bëhet më mirë, ose heshtni’”, tha Rama.