Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në burgun e Peqinit dhe siguria në këtë institucion të vuajtjes së dënimit.
A2 CNN ka publikuar një dokument, ku më 30 nëntor, vetëm dy javë para ngjarjes së rëndë në burg, drejtori i komanduar Kamber Hoxha, ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për problematika të theksuara sigurie brenda burg.
Në këtë dokument theksohet se të dënuarit kanë privatizuar ambientet, duke investuar në dhoma, situatë e cila ka bërë thuajse të pamundur kontrollin e tyre. Më tej, theksohet se ambientet e përbashkëta janë shndërruar si palestra private, ndërsa disa të burgosur i përdorin të dënuarit e tjerë për transport ushqimesh, plaçkash apo dhe për t’ua pastruar qelitë.
Po ashtu, në këtë dokument përmendet se skaneri nuk ka punuar që prej datës 21 tetor, ndërsa sistemi i kamerave kishte probleme të theksuara.
Pavarësisht këtij dokumenti, skaneri dhe siguria në burgun e Peqinit duket se nuk është rregulluar, ndërsa më 15 dhjetor Arben Lleshi, i dënuar përjetë, u ekzekutua me pistoletë nga Mjacaj, ndërsa Indrit Shaqja mbeti i plagosur.
Pas ngjarjes, drejtori i burgut Kamber Hoxha dhe 11 zyrtarë të tjerë, u ndaluan dhe ndaj tyre është dhënë masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa ngjarja e rëndë ende nuk është zbardhur.