Avokati i Safet Gjicit, Përparim Kulluri ka deklaruar për emisionin “Review” në Euronews Albania, se klienti i tij nuk i është penalisht fajtor.
Ai tha se e gjithë ngjarja është sajesë e kundërshtarëve politikë dhe se kurrë nuk ka pasur një projekt për të realizuar korrupsionin.
“Përshëndetje. Dosja për ne është tepër e qartë. Klienti im që në fillim është shprehur se ndihet moralisht fajtor për çfarë është publikuar. Por penalisht jo. Është një sajesë e kundërshtarëve politikë që e kanë realizuar bukur me një person që është përdorur në shumë raste të tjera.
Habia jonë më e madhe është këmbëngulja e tepruar e prokurorisë që megjithëse ka dalë qartë se videoskandali nuk është realizuar për llogari të emisionit investigativ , përsëri i qëndron akuzës së korrupsionit. Vetë protagonistja pranoi para gjykatës se nuk ka patur projekt dhe nuk e ka çuar atë askund. Duke mos patur projekt nuk ka kërkesë e për rrjedhojë nuk ka tender e korrupsion. D.m.th. nuk ka vepër penale. Ne kemi besim se gjykata me integritetin e saj profesional do ta deklarojë atë të pafajshëm”,-ka thënë avokati.