Një shpërthim me tritol tronditi mbrëmjen e kësaj të diele Lushnjen. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja Anila Sefa, e cila thotë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45, në lagjen 18 Tetori.
Lënda shpërthyese, sipas gazetares, është vendosur në shtëpinë e Arben Turkut, i cili jeton në Angli.
Kjo shtëpi ka rënë pre e sulmeve të tilla edhe 3 herë të tjera në të shkuarën.Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Lënda plasëse dyshohet se u hodh nga autori nga rruga drejt oborrit të shtëpisë. Si pasojë e shpërthimit janë thyer xhamat dhe dyert, ndërsa në oborr është hapur një gropë e madhe.
“Rreth orës 22:00, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, pranë banesës së shtetases R. T.,(e cila është e pabanuar), është hedhur një sasi e vogël lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Po kqyren kamerat e po vijon kontrolli i zonës nga shërbimet e Policisë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, tha policia e Lushnjes në një njoftim paraprak për ngjarjen.