Flakët përpijnë katin e katërt të qendrës tregtare në Lushnje, zjarri merr përmasa të mëdha

Ndonëse prej orësh zjarrfikësit po punonin për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit në qendrën tregtare në Lushnje, gjatë mbrëmjes flakët janë riaktivizuar, duke përpirë katin e katërt. Këto janë pamjet që sjell nga vendi i ngjarjes gazetarja Anila Sefa.
Flakët kanë shkrumbuar të gjithë këtë kat, duke bërë që e gjithë fasada të shkrihet dhe të bjerë edhe një pjesë e soletës. Pikërisht në këtë kat dyshohet se ishte dhe vendi ku nisi zjarri rreth orës 14:40 të kësaj të hëne duke shkaktuar një operacion masiv.
Një ngjarje e paprecedentë që ka angazhuar forca të shumta zjarrfikëse jo vetëm nga Lushnja e qytetet përreth, por edhe nga Tirana. Gjatë mbrëmjes, gazetarja Anila Sefa raporton se në vendngjarje kanë shkuar edhe 10 mjete të tjera zjarrfikëse.
Zjarrfikësit aktualisht po punojnë nga të gjitha anët në përpjekje për të shuar flakët. Disa prej tyre mësohet se kanë hipur edhe mbi tarracat e pallateve ngjitur. Ndërkohë, banorët e një pallati 5 katësh që ndodhet përballë qendrës mësohet se janë larguar vetë nga banesat e tyre për shkak të rrezikut.
U deshën mbi 3 orë që dy godinat të cilat lidhen me këtë qendër tregtare, të boshatiseshin nga banorët. Problematike situata ishte në njërën prej tyre, aty ku u desh ndërhyrja me vinç nga jashtë dhe e forcave RENEA nga brenda, për të shpëtuar deri në banorin e fundit. Të paktën 42 persona u asfiksuan, mes tyre edhe fëmijë.
Shkaqet e rënies së këtij zjarri masiv mbeten të paqarta dhe pritet që ato të zbardhen nga hetimet.
Situata aktualisht është e rrezikshme pasi mbi katin e katërt të kësaj godine ndodhen apartamente banimi, që përveç dëmit që kanë pësuar tashmë rrezikojnë të digjen tërësisht.