Këtë të shtunë, në orën 12:00, pritet të mbahet seanca e radhës për masën e arrestit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha. Në GJKKO ka mbërritur tashmë avokati mbrojtës i ish kryeministrit, Sokol Mëngjesi.
Gazetari Ermail Vija tha për ABC Neës se avokatët e Berishës kanë dorëzuar nëpërmjet postës se kanë kërkuar përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka.
Në seancën e së enjtes, gjyqtarja Irena Gjoka, argumentoi se shtyrja e shpalljes së vendimit për të shtunën u bë për t’i dhënë kohë avokatëve të njihen me provat.
Avokatët kërkuan që të njihen me regjistrimet audio dhe të procesverbaleve e seancave të fundit në GJKKO, për të provuar pretendimet për njëanshmëri. Mirëpo, deri në orën 16:00 të së premtes, në sekretariatin e gjykatës nuk është paraqitur asnjë kërkesë e avokatëve për përjashtimin e gjyqtares.
“Në vijim të interesit të shfaqur nga gazetarët Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka! Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin”, njoftoi GJKKO një ditë më parë.
SPAK kërkon që Berisha të ruhet me polic në derën e shtëpisë dhe asnjë komunikim me persona të tjerë veç familjarëve në banesë.
Ish kryeminstri Sali Berisha është person nën hetim në çështjen mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit Sportiv Partizani, i cili dyshohet nga SPAK për korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, ku më pas u ndërtuan një grup pallatesh.