Të tjera detaje kanë dalë për vetëvrasjen e 41-vjeçares Bedrie Loka në Durrës, pas bullizimit të vazhdueshëm që i bëhej në Tik Tok dhe në ambientet e fasonerisë ku punonte.
Korrespodentja e Euronews Albania në Durrës, Kloida Gjuzi, ka thënë se pronari i fabrikës ku ajo punonte, gjatë një komunikimi me Policinë, është distancuar nga ngjarja e rëndë, duke thënë se vdekja e 41-vjeçares kishte ndodhur në shtëpinë e saj dhe ai nuk kishte asnjë përgjegjësi.
Ajo tha gjithashtu se dyshohet se fotografitë e 41-vjeçares që mbeti viktimë, janë shpërndarë në Tik Tok nga kushërira e të ndierës.
“Ka qenë data 2 janar kur është regjistruar vdekja e 41-vjeçares, nënë e 4 fëmijëve, e cila kishte njoftuar më herët Policinë se persona të paidentifikuar kishin hapur një llogari në Tik Tok me emrin e saj, që ajo nuk e përdorte.
Ajo konsumoi fotoksinë dhe ndërroi jetë. Ajo bullizohej nga punonjësit e fabrikës, të kompanisë fasone, ku ishte e punësuar prej vitesh.
Policia ka pasur edhe një komunikim me pronarin e fabrikës, i cili është distancuar nga ngjarja e rëndë dhe ka thënë se e reja ka ndërruar jetë jashtë ambienteve të punës dhe ka shmangur lidhjen e ngjarjes së rëndë me ambientin ku 41 vjeçarja ka punuar”, tha Gjuzi.