Ndarja nga jeta në 5 janar 2012 të Prokurorit të Krimeve të Rënda, Xhevat Hana u shoqërua me një pikëpyetje të madhe për shkak se familjarët e tij ngritën menjëherë dyshimin se vdekja e të afërmit të tyre mund të kishte ndodhur si pasojë e një helmimi të mundshëm dhe jo për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme siç është raportuar zyrtarisht. I pari që publikisht shprehu dyshimin se Xhevat Hana mund të ishte vrarë ishte djali tij, Rezarti, i cili në një prononcim për mediat vetëm 3 orë përpara vdekjes së babait, hodhi dyshimet e para të familjes, se mos babait i është injektuar sëmundja e rëndë nga faktorë të jashtëm për hir të procesit që po ndiqte, atë ndaj ish-funksionarëve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen Remzi Hoxhës.
Edhe ditën e djeshme, pas 12 vitesh, familjarët hodhën menjëherë dyshimet se Hana është vrarë duke u helmuar. Vëllai, Selami Hana, kërkon drejtësi për ish-prokurorin, për të cilin thotë se u nda padrejtësisht nga jeta. “Bishat vrastare të pushtetit i kanë duart me gjak”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale. “Në 12-vjetorin e ndarjes padrejtësisht nga jeta të vëllait tonë, prokurorit Xhevat Hana! Kriminelët gjakpirës, bishat vrastare të pushtetit që kanë lyer duart me gjak, i morën jetën padrejtësisht dhe pabesisht në krye të detyrës, vetëm për të mbuluar krimet dhe vjedhjet që kane kryer në këtë vend dhe mbi njerëz të pafajshëm. Drejtësia për vëllain tonë po vonon dhe do të vonoje për sa kohë që personat që kane kryer këtë krim janë të pushtetshëm dhe qëndrojnë të ulur në karriget e ligjvënësit. Nga vëllezërit dhe motrat”, ishte postimi i tij në rrjetet sociale.
Kush ishte Xhavit Hana dhe çfarë zbuloi për Remzi Hoxhën?
Xhevat Hana ishte një nga prokurorët më të njohur të Shqipërisë, me një karrierë të gjatë në drejtësi, për disa kohë dhe si këshilltar i presidentit Alfred Moisiu. Xhevat Hana u lind në Librazhd më 28 mars të vitit 1953. Ai e nisi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat, mandej punoi në Sarandë, në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme. Para se të transferohej nga Prokuroria e përgjithshme në fund të vitit 2007, i ndjeri Hana ishte përfaqësuesi i akuzës shqiptare për dosjen korruptive të rrugës Durrës-Kukës. Gjithashtu Hana ishte edhe prokurori i dosjes tjetër, atë të rrëmbimit, torturimit dhe zhdukjes pa gjurmë të Remzi Hoxhës, çështje që ka implikuar direkt Shërbimin sekret të viteve ‘90, të drejtuar nga Bashkim Gazidede. Ai ishte i vetmi që çoi në gjykatë njerëzit e SHIK-ut të Gazidedes, përkatësisht Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron dhe Avni Koldashin që dyshohet se zhdukën biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i cili kishte filmuar takimin trepalësh të ish-presidentit Sali Berisha me homologët e tij në atë kohë Sllobodan Milosheviç të Serbisë dhe Kiro Gligorov të Maqedonisë në Shën Naum.
Xhevat Hana ishte një nga prokurorët më të njohur të Shqipërisë, me një karrierë të gjatë në drejtësi, për disa kohë dhe si këshilltar i presidentit Alfred Moisiu. Gjatë vitit 2011 ai qëndroi i shtruar për një kohë të gjatë në një spital publik të Tiranës, por familjarët u detyruan ta transportonin në Itali për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ku edhe ndërroi jetë në 5 janar 2012. Pak kohë më parë dhe avokati i njohur Idajet Beqiri u shpreh se pas vdekjes së Xhevat Hanës fshihet dora e Berishës. “Xhevat Hana ishte Prokurori me integritet të lartë njerëzor dhe profesional, i pa prekur askund prej korrupsionit dhe dallavereve që kishin dhe kanë kapur shumë kolegë të tij.
Xhevat Hana ishte prokurori që do i bënte nder sot SPAK, sepse ai i përkiste Shkollës së Falkones...Ai hetoi dhe po i shkonte drejtë fundit procesit të madh të krimit të lartë shtetëror, eliminimit të një prej kontributorëve të mëdhenj të rezistencës aktive kundër gjenocidistëve të Serbisë, për pavarësinë e Kosovës, Remzi Hoxhës. Remzi Hoxhën e vrau për llogari të Sllobodan Millosheviçit ish Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha dhe organizata e tij kriminale që kishte si ekzekutor Bashkim Gazideden.
Në momentin më kritik dhe vendimtar të ngjitjes së akt akuzës për eliminimin e Remzi Hoxhës kundër Sali Berishës, Bashkim Gazidedes etj, kjo organizatë kriminale e udhëhequr nga Sali Berisha, eliminoi "Falkonen" shqiptar Xhevat Hana, duke grabitur më pas dosjen penale nga zyra e këtij Prokurori dhe duke e "pastruar" dosjen nga aktet provuese të këtij krimi makabër shtetëror me protagonistë kryesor Sali Berishën dhe Bashkim Gazideden”, u shpreh Beqiri.