Mjeku dhe deputeti demokrat Tritan Shehu është shprehur se nëse konsumon fostoksinë shanset që të vdesësh janë 100 % dhe nuk ka antidot për të shpëtuar.
Komentet Shehu i bëri në një emision mëngjesin e kësaj të marte, ku theksoi se ky produkt duhet të ndalohet me ligj në Shqipëri, pasi është një helm i rrezikshëm.
Kujtojmë se pak ditë më parë një 41 vjeçare në Durrës ndërroi jetë pasi u vetëhelmua me fostoksinë, pas dhunës nga bashkëshorti dhe bullizimit në rrjetet sociale.
“I keni dëgjuar vetëvrasjet në Shqipëri, e shikoni sa janë shtuar? E shikoni që Fostoksina është mjeti kryesor i vetëvrasjes? Fostoksina ësht ënjë pesticide bujqësor që në Shqipëri është nga helmet më të fuqishme dhe nuk ka antidote. Destinacioni është thuajse 100 % humbje jete.
Atë mund të gjesh lirshëm në kjoska, në tezga, etj. Po e more Fostoksinën, po kaluan 2 orë, ai është absorbuar. Kjo është një helm i fortë dhe fatal dhe që ka krijuar një lidhje psikologjike mes vetëvrasjes dhe fostoksinës. Unë kam kërkuar prej vitesh të hiqet nga farmakopea bujqësure.
E kam ngritur në Parlament e kudo, por heshtje e plotë nga institucionet shtetërore. Ajo është hequr nga qarkullimi në shtetet e zhvilluara. Edhe në Indi kanë marrë masa që ajo të mos merret nga goja”, tha Shehu.