Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar pasi ambasada e SHBA dhe delegacioni i BE hodhën poshtë deklaratat e Lulzim Bashës në lidhje me ndërhyrjen e tyre për dakortësinë mes PD dhe PS, për Reformën Zgjedhore.
Ndërsa e ka cilësuar Bashës si “një mashtrues të paskrupullt”, Sula shprehet se qëndrimet e SHBA dhe BE, vërtetës zbuluan “lakuriq”, pazarin e dy personave që nuk duan zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të ndershme.
Ndër të tjera ai shprehet se “i vetëshpalluri “kryetar” merr guximin dhe gënjen publikun duke përdorur ambasadorët e nderuar të partnerëve strategjik”.
Reagimi i plotë
Reforma Zgjedhore është bllokuar prej 1 viti nga pazari Basha-Rama.
Sot u shua çdo dyshim edhe për më skeptikun se që nuk mendon se Basha-Rama tashmë janë një.
Falenderoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadën Bashkimit Evropian dhe OSBE që me qëndrimin e tyre parimorë dhe në anën e të vërtetës zbuluan “lakuriq”, pazarin e dy personave që nuk duan zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të ndershme por duan të mbajnë peng një popull për interesat e veta meskine ekonomike.
Reagimet e Ambasadës së SHBA, BE dhe OSBE e nxorën siç është; një mashtrues të paskrupull të vetshpallurin “kryetar” i cili merr guximin dhe gënjen publikun duke përdorur ambasadorët e nderuar të partnerëve strategjik.
Më poshtë gjeni reagimet e plota:
SHBA “Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim.”
BE: Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve.