Sekretari i çështjeve ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa tha në një intervistë televizive se kryeministri Rama dhe qeveria e tij përfituan nga rrëmuja dhe flakadanët në kuvend për të miratuar ligje dhe ndryshime të cilat sipas tij janë antikushtetuese.
Ai tha se ndryshimet e miratuara nga qeveria janë antikushtetuese dhe ndalojnë jetën normale parlamentare.
“Tani fatkeqësi për të gjithë këtë situatë të krijuar nuk është pjesa që deputetët nuk po bëjnë detyrën e tyre të caktuar me ligj, por fatkeqësi është që qytetarët shqiptar nuk po marrin vesh se çfarë ligjesh po miratohen. Qeveria nuk është penguar në asnjë moment për ushtrimin e detyrës së saj.
Ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe kushtetutën dhe i cënon aksesin opozitës për një jetë parlamentare normale. Rama shfrytëzoi flakadanët dhe rrëmujën e krijuar në parlament për të bërë një veprim antikushtetues. Ndryshimi i ligjit për komisionet hetimore është i tmerrshëm."
I pyetur se ku ishte Partia Demokratike kur u miratuan këto ligje dhe projektligje, Sefa u përgjigj:
“Çfarë duhet të bënte Partia Demokratike? Të ndiznim dhe ne flakadanë? U detyruam që për çdo ditë gjatë miratimit të projektbuxhetit të shtetit shqiptar të bënim konferenca për shtyp nga Selia e Partisë Demokratike”,-tha Indrit Sefa.