Në Durrës këmbësorët që thyejnë rregullat e qarkullimit rrugor po gjobiten.
Raportohet se të paktën 30 qytetarë janë konstatuar nga blutë e qytetit bregdetar për shkelje të rregullave të sinjalistikës.
Në Durrës ka nisur vënia e gjobave për këmbësorët, të cilët nuk respektojnë vendkalimet e posaçme dhe shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Por si procedon Policia për vënien e gjobave dhe si ka qenë reagimi qytetar?
Detajet i jep Miludian Çaçellari, komandant shërbimesh pranë bluve të qytetit bregdetar.
“Masa vihet me numrin e ID të këmbësorit dhe shlyerja e gjobës bëhet në vend. Kemi vënë re një lloj ndërgjegjësimi, ndonëse mungon ende informacioni”, tha Çaçellari.
Referuar incidenteve rrugore, shpesh shkaku i shumicës së rasteve është pakujdesia e këmbësorëve.
Prandaj masat, përqendruar më shumë në këshillim sesa në ndëshkim, kanë synuar të sensibilizojnë qytetarët.
“Ne më shumë jemi fokusuar në këshillimin e këmbësorëve, pasi ka një numër të konsiderueshëm ngjarjesh rrugore ku ata janë të përfshirë dhe ka rezultuar se shkak ka qenë shkelja e rregullova të qarkullimit rrugor nga ana e këmbësorëve”, tha Çaçellari.
Çaçellari tregon rrugët më problematike në Durrës, ku qytetarët ndjejnë vështirësi në respektimin e rregullave të kodit rrugor.
“Ne kemi vënë re, që rruga ‘Adria’ është problematike. Është një rrugë e pajisur me sinjalistikë, me vendkalimi për këmbësorët, por prapë vëmë re që ka shkelje. Gjithashtu, raste të izoluara ka pasur edhe në rrugën interurbane Durrës-Tiranë. Ndonëse është e vështirë të kalohet trafikndarësi, gjithsesi prapë shkojnë e kalojnë”, tha Çaçellari.
Pra siç e thamë edhe më lart, rreth 30 këmbësorë janë gjobitur për mospërmbajtje të sinjalistikës rrugore, duke shfaqur pakujdesinë e tyre në rrugë.