Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, është shprehur se institucionet e drejtësisë duhet të vendosin drejtësi për vrasjen e 4 personave në 21 janar të vitit 2011, në protestën e opozitës së asaj kohe.
Përmes një deklarate për mediat në përkujtim të 21 Janarit, Manja tha se nëse prokurorët e gjyqtarët do të vijojnë me metodat e vjetra, për të mos hetuar këtë ngjarje, do të hasin në murin e ligjvënësve.
Ai tha gjithashtu se Parlamenti është gati që të ndryshojë edhe procedurën penale, vetëm që asnjë krim të mos mbetet pa ndëshkuar, si shkak i afatit kohor.
“Kanë frikë të përballen me hetimin e dosjeve të rëndësishme, që janë paguar në jo pak raste me jetën e njerëzve të pafajshëm, si në rastin e 4 dëshmorëve të atdheut në 21 janar.
Familjarët e Hekuranit, Ziverit dhe Faikut nuk mund të rrinë peng i disa magjistratëve unukë brenda sistemit, që duke tundur një certifikatë vettingu, përpiqen t’i vendosin kapak 21 janarit.
Paaftësisë së tyre duhet t’i dalë për zot vetë sistemi i drejtësisë. Metodat e tyre të vjetra të punës, duhet të hasin murin e fortë të ligjvënësit. Po ishte nevoja do të prekim edhe vetë procedurën penale që anjë krim të mos mbetet pa ndëshkuar, për shkak të afateve kohore”, tha Manja.