Prokuroria e Korçës ka dërguar në gjyq Alma Beqirin, ish agjenten e shërbimit postar ADEX në Korçë pasi akuzave se nëpërmjet mashtrimit ka përfituar 3 milionë euro.
46-vjeçarja akuzohet se shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.
Dyshohet se shumën prej 3 milionë eurosh i ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vetë dhe të familjarëve të saj.
"Nga hetimet rezultoi se si agjente rajonale e shoqërisë postare “Adex”, me pronar viktimën F.Z., e pandehura ka kryer transaksione të shumfishta fiktive duke blerë mallra tek persona të tjerë dhe duke raportuar fiktivisht se këto mallra ishin paguar. Në të njëjtën kohë, duke marrë pagesat e mallrave tek persona të tretë, e pandehura i ka raportuar si të paguara por duke mos depozituar pagesat në llogarinë e shoqërisë Adex duke përfituar në këtë mënyrë nëpërmjet mashtrimit një vlerë rreth 3 milionë euro" informoi sot SPAK.
Beqiri u ndalua me urdhër të Prokurorit dhe iu sekuestruan disa automjete luksoze të cilat janë produkt i veprës penale të mashtrimit, të cilat ajo i kishte vendosur në emër të të afërmve të saj.
Ndërkohë, Prokuroria Korçë po e heton paralelisht për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal për të identifikuar pasuri të tjera me origjinë të paligjshme dhe për të identifikuar dhe vënë nën përgjegjësi penale personat e përfshirë.