Specialistët e Shëndetit Publik në Gjirokastër po sensibilizojnë popullatën për parandalimin e infektimit nga virozat e stinës dhe fruthi.
Ata po zhvillojnë takime sensibilizuese në institucionet arsimore, mjediset publike, aktivitetet e biznesit për mënyrat dhe domosdoshmërinë e zbatimit të masave parandaluese për sëmundjet infektive.
“Doktorët por qoftë dhe infermierët e Drejtorisë së Shëndeti Publik Gjirokastër tashmë janë në terren, në të gjitha shkollat e qytetit, shkollat 9-vjeçare, kopshte, çerdhe duke bërë promocion dhe duke biseduar me mësuesit , me nxënësit për çdo lloj shenje që ata mund të kenë që ne të jemi në kohë duke parandaluar çdo lloj virusi që mund të kemi në rrethin e Gjirokastrës, situata paraqitet e qetë ka raste që ne i ndjekim dhe i hetojmë por deri tani nuk kemi ndonjë rast të sëmundjeve infektive siç është fruthi apo sëmundje të tjera”,-tha Edi Sinojmeri, drejtor i njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Gjirokastër.
Gjirokastra është një ndër qytetet që ka mbulesën më të lartë vaksinale sa i takon gripit, ndërsa vijon injektimi i vaksinës.
“Në qoftë se vitin e kaluar kishim 3 300 vaksina të gripit këtë vit kemi aplikuar 4 500 vaksina të gripit dhe kemi marrë rreth 500 doza të tjera”,-u shpreh doktori.
Përgjatë muajit janar në Gjirokastër është regjistruar një numër i lartë i banorëve të prekur nga virozat e stinës por kjo situatë nuk është shoqëruar me komplikacione të rënda shëndetësore tek qytetarët.