Gjykata e Posaçme ka lënë në burg kreun e dhomës së avokatisë në Korçë, Arben Lena, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë Lena mohoi akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tij është i pabazuar.
Avokati akuzohet si pjesë e grupit të 5 personave që tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarët e Apelit të Korçës për të liruar nga paraburgimi Bledar Koziçin, i arrestuar për trafikim refugjatësh.
Burime konfirmojnë se nën hetim është edhe një gjyqtar i Apelit të Korçës para se ky institucion të shkrihej me hartën e re gjyqësore.