Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me operacionet e Policisë së Shtetit, për goditjen e armëmbajtjes pa leje, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe ndaj personave që i fshihen drejtësisë.
Balla tha se armëmbajtja pa leje është shpërfillje e rëndë ndaj ligjit dhe burim potencial i krimeve të rënda kundër personit.
Reagimi i ministrit Balla:
Duke ju uruar një fund jave të qetë dhe të bukur, dua të përgëzoj Policinë e Shtetit për disa operacione të sukseshme gjatë 24 orëve të fundit kundër armëmbajtjes pa leje, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe ndaj personave që i fshihen drejtësisë. Publiku mirëpret goditjen e armëmbajtjes pa leje, e cila mbetet një shembull i keq në sytë e publikut, një shpërfillje e rëndë ndaj ligjit dhe arrogancë e hapur ndaj shoqërisë sonë. Armëmbajtja pa leje është burim potencial i krimeve të rënda kundër personit.