Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, përmes një interviste televizive të enjten e kaluar, hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë dhe SPAK-ut. Analisti Neritan Sejamini deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” se intervista e tij tregoi një qeverisje të kalbur, një rregjim të marrë fund, nga pikëpamja morale, por edhe nga serioziteti që duhet të ketë çdo lloj sistemi dhe se zyrtarët e lartë nuk përpiqen as të fshihen në veprat e tyre.
“Intervista e Arben Ahmetajt më la ndjesinë e një pushteti të kalbur. Është e dhimbshme çfarë thotë Ahmetaj për veten e tij, për qeverinë, për marrëdhëniet. Është në gjë e kalbur, një qeverisje kalbësirë. Tregon se kemi një rregjim të marrë fund, nga pikëpamja morale, por edhe nga serioziteti që duhet të ketë çdo lloj sistemi nga pikëpamja e çdo lloj dinjiteti që duhet të ketë çdo lloj qeverisje.
Nëse ne flasim për skandale korruptive dhe çfarë ndodh në Shqipëri, ka një shtrat moral. Shoqëria jonë është e gërryer nga vlerat morale, është në përgjithësi një shoqëri e kalbur, prandaj edhe skandalet janë kaq të mëdha.
Ajo që kuptova nga Ahmetaj është se këta nuk përpiqen as të fshihen në veprat e tyre, nuk kanë asnjë lloj sofistikimi në veprat e tyre, asnjë lloj shqetësimi për ato letra që të bëhen siç duhen bërë, ka një lloj shpërqendrimi total nga përgjegjësia, një moskokëçarje se çfarë bëjnë. Rrëmbejnë, mjaft që të bëjnë letrat, as ndrojtje, as shqetësimi, se po bëjnë diçka të gabuar moralisht dhe që mund t’u kthehet nesër në të kundërt”-tha Sejamini.