Kryetari i PD, Lulzim Basha komentoi sot në një deklaratë për mediat vizitën e sekretarit amerikan të shtetit në Tiranë dhe theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA janë strategjike.
I pyetur nëse ishte i keqardhur që sekretari amerikan i shtetit nuk kishte planifikuar një takim me të si kreu i opozitës gjatë vizitës së sotme në Tiranë, Basha nuk u përgjigj drejtpërdrejtë por theksoi se marrëdhëniet me SHBA shkojnë përtej qeverisë dhe opozitës.
“Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë strategjike. Ç’do të thotë që janë strategjike, për ta sqaruar për publikun. Ne e dimë se pa SHBA Shqipëria nuk bëhej anëtare e NATO-s, duke fituar privilegje që s’i ka gëzuar si komb, nëse sulmohet, pa SHBA Kosova nuk bëhej e pavarur.
Marrëdhëniet strategjike nuk mund të futen në çorapet e pista të politikës së Tiranë, kalojnë përtej asaj që është qeveri dhe opozitë në emër të PD i uroj mirëseardhjen në vendin tonë”, tha Basha.