Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është takuar me kreun e SPAK, Altin Dumani.
Takimi mes tyre është zhvilluar gjatë momentit që Blinken ndodhej në Piramidën e Tiranës.
Gjithashtu të pranishëm në takim ishin kreu i ILD-së, Artur Metani dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaça.
Sipas gazetares Klodiana Lala takimi me 4 zyrtarët e lartë të institucioneve të drejtësisë ka zgjatur rreth 10-12 minuta dhe sipas saj, Sekretari i Shtetit amerikan në emër të SHBA-ve u ka dhënë mbështetjen e plotë në goditjen dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion e krim të organizuar.
“Një prej pjesëmarrësve në këtë takim në kushte anonimati, konfirmoi se Blinken në emër të SHBA-ve u ka dhënë mbështetje të plotë zyrtarëve të lartë të drejtësisë për të ecur përpara në goditjen dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion e krim të organizuar. Duke iu kërkuar me ngulm që të zbatojnë ligjin, pavarësisht pushtetit që kanë këta zyrtarë të cilët kanë kryer veprat penale të korrupsionit, mund të jenë në pushtet ose jo. Ka qenë i qartë dhe i prerë në këtë takim të shkurtër, por duhet thënë se ëhstë zhvilluar vetëm në praninë e 4 personaliteteve të drejtësisë. Blinken ju ka dhënë mbështetjen e pakursyer të SHBA institucioneve të reja dhe të reformuara të drejtësisë”, tha gazetarja Klodiana Lala.