Analisti Arjan Curri ka debatuar me ekspertin Adrian Shtuni duke theksuar se sa herë që Shtetet e Bashkuara lavdërojnë një lider në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe konkretisht në Shqipëri, atëherë kryeministri i radhës do ta pësojë.
Curri solli shembullin e ish-kryeministrit Berisha se si u shpall “nongrata” nga SHBA-të ndërsa theksoi se pas disa muajsh do të kuptohet qëllimi i vërtetë i vizitës së Blinkenit.
Ai shtoi se edhe kryeministri Rama do të ketë llogari për të larë me SHBA-të.
“Historia e lavdërimeve që Shtetet e Bashkuara na kanë bërë ne ka qenë gjithmonë e dhimbshme. Madje dua të them që sa më shumë na ka lavdëruar aq më shumë na e kanë futur. Ose ua kanë futur atyre që kanë lavdëruar.
Mbani mend zonjën Clinton që tha kur erdhi se “nëse bota do të kuptojë se si duhet të funksiononte demokracia le të vijë në Shqipëri” dhe modeli i saj ishte Sali Berisha. Më pas Arvizu i tha Berishës “burrë shteti”, më pas akoma kur ne prisnim që Berisha të shpallej martir dhe shembulli i demokracisë erdhi Blinkeni që ne kemi sot dhe i futi një “nongrata” për korrupsion madhor.
Kështu që këto janë histori që ne duhet t’i dekriptojmë si gazetarë dhe nuk mund të jemi kaq diplomatë saç mund të jenë të tjerët dhe t’i marrim gjërat siç na thuhen. Këtë gjë bëri edhe Blikeni sot, sepse i tha Ramës “ti je kryeministri” më i mirë në botë, pak a shumë. Apo lavdëroi qeverinë. Do ta kuptojmë pas disa muajsh se cili ishte qëllimi i vërtetë i vizitës së Blinkenit. Edhe z. Rama do të ketë llogari për të larë me SHBA-të”.