Ish deputeti i PD Klevis Balliu ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe protestën e mbajtur pak ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga Rithemelimi.
I ftuar në studion e “7pa5” me Alma Çelajn dhe Syrjan Rahovën, Balliu tha se skandalet e qeverisë janë traumatike për shqiptarët, teksa shtoi se qytetarët presin më shumë nga opozita.
Balliu theksoi se nevoja për zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike është e madhe. Kjo sipas tij mund të arrihet me përshkallëzimin e aksionit opozitar dhe presionin e qytetarëve ndaj qeverisë aktuale.
“Protesta flet vetë me pjesëmarrjen. Kishte një kohë të gjatë që deklarohej nëpër studio që këtë opozitë nuk e ndjek njeri. Por protesta tregoi të kundërtën. Njerëzit presin më shumë nga opozita. Skandalet e qeverisë janë traumatike për shqiptarët.
Plani dashakeqës kundër pluralizmit iu dha fund në këtë protestë. Akuzat që ne ngrejë ndaj qeverisë nuk janë ccështje vetëm të PD, por e shoqërisë dhe shtetit. Ne flasim për mungesën e sigurisë së jetës, mungesën e investimeve, mungesën e rrogave, janë ccështje tonat. Edi Rama është problem i të gjithëve, jo vetëm i PD. Përshkallëzimet e aksioneve janë të ndryshme. Sot jemi më të fortë.
Personalisht jam i bindjes së përshkallëzimit të aksionit në terren, grumbullimit të sa më shumë demokratëve. Ka nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe për një qeveri teknike. Kjo arrihet nga presioni qytetar dhe aksioni i përshkallëzuar. Kjo qeveri do e rrisë dozën e korrupsionit dhe të krimit. Ata do përdorin çdo formë të mbajnë me zorr pushtetin”, tha Balliu.