Vrasja e 50-vjeçarit Pëllumb Meta në fshatin Shënavlash të Durrësit është e mbushur plot mister, pasi fëmijët e familjes Meta kanë dhënë dëshmi kontradiktore në Polici, gjë që po pengon zbardhjen e këtij rasti.
Në fillim e mori përsipër vajza, pastaj djali i madh Hyseni dhe ditën e djeshme i pyetur në gjykatë ai e mohoi fajin dhe vrasjen e mori përsëri përsipër vajza.
Deri më tani të gjitha provat rëndojnë mbi fëmijët dhe nuk ka fakte të vërtetuara që kryefamiljari ka ushtruar dhunë sistematike ndaj tyre, ndonëse e gjithë familja e pretendon këtë gjë.
Edlira Dyrmishi, psikologe tha në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania se ngjarja e ndodhur është shumë e rëndë nisur nga fakti se të tre fëmijët kanë qenë në një mendje për të vrarë shtyllën e shtëpisë që është babai dhe nuk kanë shfaqur asnjë pendesë.
Ajo iu referua raportimeve se vajza 19-vjeçare, Hygerta e cila ka marrë përsipër vrasjen, kur është çuar nga policia në vendngjarje për të hapur gropën ku kishte varrosur të atin, qeshte.
Sipas saj, fëmijët e kësaj familjeje mund të kenë çrregullime të thella psiqike, ndoshta si rezultat i një jete nën presion me një baba autoritar të cilit nuk ja kanë kthyer kurrë fjalën.
“Sjellje të kësaj natyre tregojnë çrregullime serioze të shëndetit mendor, kjo apatia emocionale,, sjellja agresive pasive duhet marrë seriozisht te secili për të shkuar te mjeku. Kemi tre 20-vjeçarë që bashkëpunojnë, nëna dhe babai janë shtylla, në këtë moment e kemi vrarë njërën nga këto shtylla dhe jemi të lumtur që e kemi bërë. Në momentin që e ka rihapur gropën ku ishte varrosur babai, tregohet nga specialistët, se vajza ka qenë me buzëqeshje, duket si një film horror. Frojdi shpjegon se dikur në jetë individi duhet ta vrasë babanë në kuptimin metaforik, është rebelimi ndaj autoritetet, ku ti vendos t’i marrësh vetë kompetencat e tua. Ndoshta këtu kemi të bëjmë me një familje që s’e ka bërë kurrë këtë kthimin e fjalës dhe vjen një moment që bën jo vrasje metaforike por fizike”, tha psikologia.