Pas Samitit për Ukrainën të mbajtur në Tiranë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky janë drejtuar në një nga restorantet e kryeqytetit, ku sipas protokollit ishte parashikuar edhe dreka e dy delegacioneve.
Këto janë pamjet të xhiruara nga Radio Televizioni Shqiptar, teksa Rama e Zelensky kanë përshkuar në këmbë distancën nga Pallati i Kongreseve deri në afërsi të Piramidës, përgjatë rrugës Papa Gjon Pali i dytë, e cila ashtu si i gjithë perimetri përreth pallatit të Kongreseve, ka qenë nën masa të rrepta sigurie.
Në pamje duken zyrtarët e lartë, bashkë me delegacionet.
Presidenti Zelensky shoqërohet edhe nga trupat e tij të sigurisë.
Pas drekës, përfundon edhe vizita e parë zyrtare e presidentit Zelensky në vendin tonë, teksa do të përcillet nga Ministri i Jashtëm, Igli Hasani.