Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, përmes një reagimi në rrjetet sociale, i shprehu ngushëllimet familjes Hoxha për humbjen e dy pjesëtarëve të saj, nga aksidenti i ndodhur këtë të premte në Lushnjë.
Spiropali po ashtu u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
“Ngushëllime të ndjera familjes Hoxha për humbjen e babait dhe djalit të familjes në ngjarjen e rëndë dhe fatkeqe të Lushnjës. Shpirtrat e tyre të prehen në paqe”, shkruan Spiropali.
“Shërim të shpejtë kolegut dhe mikut tonë, deputetit Bujar Çela, dhe të gjithë të plagosurve! Jemi me ju!”, përfundon Spiropali.
Këtë të premte rreth orës 15:37 minuta në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plastmasit”, në një kapanon në ndërtim ka ndodhur një shpërthim, që dyshohet se ka ardhur për shkak se gjatë punimeve, vinçieri L. H aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë, duke shkaktuar dhe aksidentin tragjik. Nga aksidenti u plagosën edhe 7 persona.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.