Ditën e sotme u mbajt mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, e cila miratoi kërkesat për dy Komisionet Hetimore, të kërkuara nga Opozita.
Mbledhja zgjati vetëm pak minuta dhe u mbyll pak më parë. Pritet që të dalin në deklaratë për mediat më pas përfaqësuesit e PS-së dhe Rithemelimit.
Komisionet Hetimore do të përbëhen nga 15 anëtarë, të cilët do të hetojnë punën e qeverisë në 2 raste.
Pritet të ngrihet Komision Hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-Up në Shëndetësi.
Po ashtu, Komision Hetimor pritet të ngrihet edhe për Trajtimin e të dhënëve të sistemit TIMS.
Kujtojmë se opozita e nisi aksionin e protestave në Kuvend, pikërisht me argumentin se mazhoranca po i ndalonte të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore.
Protestat në Kuvend nisën vetëm pak ditë pas vendosjes së ish-kryeministrit Sali Berisha në “arrest shtëpie” me akuzën për korrupsion, në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.