Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku duke diskutuar për buxhetin e vitit 2024, u shpreh se nuk ka parë strategji të mirëfillta nga ana e mazhorancës, të cilat do ta përkthenin numrin në rritje të vizitorëve në rritje të ekonomisë së Shqipërisë.
Ajo vuri theksin tek procesi i integrimit evropian, ndërsa “kritikoi” parlamentin, që sipas saj ka dështuar ta kishte këtë çështje në kryeagjendën e vet.
Sipas Tabakut, Kuvendi i Shqipërisë duhet të miratojë ligje, që përmbushin frymën dhe standardet evropiane.
“Nuk kam dëgjuar në këtë buxhet as strategji për zhvillimin e turizmit. Shqipëria duhet t’i pararend zhvillimit të turizmit, pasi numri i vizitorëve po rritet çështë e vërteta, por nuk po reflektohet në ekonomi. Sot më 21 mars, zhvillohet seancë në Komisionin Evropian dhe Shqipëria nuk është në agjendë. E kemi humbur mundësinë që të hapim negociatat. E humbën mundësinë ta kishim integrimin prioritet të agjendës. Çdo ligj që miratohet në Kuvend duhet të këtë frymën dhe standardet që ka Bashkimi Evropian”, theksoi Tabaku.