Vendi bosh i kryetarit të Bashkisë së Himarës, pas arrestimit dhe dorëheqjes së Jorgo Goros, ka sjellë reagimin e Prefektit të Vlorës, Vangjel Tavo. Ky i fundit ka sqaruar se është në kompetence të Këshillit Bashkiak të caktojë kryetarin e komanduar të këtij institucioni vendor.
“Këshilli i bashkisë cakton jo zgjedh një nga nënkryetarët e bashkisë që janë në detyrë për të kryer funksionin e kryetarit deri në zgjidhjen e problematikës në Himarë”, tha Tavo.
Të premten në datën 29 mars mblidhet Këshilli Bashkiak i Himarës për të vendosur mes dy nënkryetarëve Piervin Gjikuria apo Blerina Bala. Edhe pse sipas Vangjel Tavos, ende nuk dihet nëse do të shfrytëzohet rasti edhe për caktimin e njërit prej nënkryetarëve në drejtimin e bashkisë.
“Nuk kam asnjë dijeni, në dijeninë time nesër ka një mbledhje të këshillit të bashkisë së Himarës, është totalisht kompetencë e bashkisë dhe është kompetencë e tyre për të vendosur në rend dite ose jo nesër caktimin e njërit nga dy nënkryetarët”, u shpreh ai.
Blerina Bala përflitet si pretendentja kryesore për të zëvendësuar Jorgo Goron, ndërkohë që nga opozita kërkohet që të respektohet vullneti i qytetarëve dhe drejtimi i Bashkisë së Himarës të zgjidhet siç u përcaktua në zgjedhjet e 14 Majit.