Krimi kibernetik në Shqipëri pësoi një rritje prej 22.35% në vitin 2023, thuhet në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndaj 225 personave janë ndërmarrë procedime penale në vitin 2022, ndërsa numri i procedimeve të regjistruara për vitin e shkuar ishte 312. Nga të dhënat rezulton se 68% e krimeve ndodhin në Tiranë, ndjekur nga Durrësi dhe Elbasani me vetëm 7%. Krimet kibernetike më të raportuara janë mashtrimi ose falsifikimi kompjuterik dhe ndërhyrja në të dhënat kompjuterike.
Numri i procedimeve të regjistruara për mashtrim kompjuterik është rritur me 25 % në vitin 2023. Mashtrimi kompjuterik i referohet futjes, ndryshimit dhe fshirjes së të dhënave kompjuterike apo ndërhyrjes në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim sigurimin e një përfitimi ekonomik të padrejtë apo pakësimin e pasurisë së dikujt. Shembuj të mashtrimit kompjuterik janë vjedhja e identitetit, mashtrimet phishing, hakerimi dhe sulmet malare. Falsifikimi kompjuterik ka pasur një tendencë rritjeje prej 17.28 % vitin e shkuar.
Kjo vepër penale përfshin krijimin ose modifikimin e informacionit digjital për të mashtruar të tjerët. Kjo mund të përfshijë krijimin e dokumenteve të rreme, ndryshimin e fotografive ose manipulimin e të dhënave me qëllim keqinterpretimin e informacionit. Ndërkohë numri i procedimeve të regjistruara në prokurori për ndërhyrje në të dhënat kompjuterike është rritur me 30.16%.
Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike lidhet me ndryshimin, fshirjen ose shkatërrimin e paautorizuar të të dhënave elektronike. Kjo mund të përfshijë modifikimin e skedarëve të të dhënave, fshirjen e informacionit të rëndësishëm ose futjen e softuerit me qëllim të keq që prish funksionimin normal të sistemeve kompjuterike.