Shtohen të prekurit me autizëm në Shqipëri, prindërit kërkojnë mbështetje nga shteti

Shqipëria

Shtohen të prekurit me autizëm në Shqipëri, prindërit kërkojnë mbështetje nga shteti

Më: 18 prill 2024 Në ora: 00:28
Ilustrim

Vera është prind i një vajze me çrregullim të spektrit autik. Përkushtimi ndaj fëmijës ia bëri të pamundur vijimin e punës, pasi prej 10 vjetësh ajo është mësuesja dhe shoqja e bankës së vajzës së saj.

Por vështirësitë për prindërit e fëmijëve me autizëm nuk kanë fund.

Vera na tregon se ndryshe nga shtete e tjera, në Shqipëri nuk ka  lehtësira në punë për prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta.

E madje kur këta fëmijë mbushin moshën 18 vjeç, prindërve të tyre u hiqet pagesa 10 mijë lekë e kujdestarisë e madje  rrezikojnë të mbeten pa pension në të ardhmen.

Ekspertët e shëndetësisë e cilësojnë autizimin, krizë të shëndetit publik në mbarë botën.

Për doktor Ariel Comon kjo bëhet edhe më e ndjeshme kur shtetet nuk i përgjigjen dot nevojave të fëmijëve apo familjeve të tyre.

Një në 36 fëmijë diagnostikohet me spektrin autik. Në muajin e ndërgjegjësimit  ndaj këtij çrregullimi, mjekët thonë se diagnoza e saktë dhe e hershme rrit mundësitë për integrimin e fëmijës.

Në mbarë botën konstatohet rritje e numrit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik. Ende nuk dihen shkaqet e sakta të shfaqjes së autizmit, por mjekët ndërthurin faktorët gjenetikë me ata mjedisorë dhe ndërlikimet gjatë shtatzënisë së nënës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat