Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, përshëndeti sot vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për nxjerrjen e Shqipërisë nga sistemi i monitorimit.
Nikolla u shpreh se ky vendim është rikonfirmim i konsolidimit të demokracisë në Shqipëri.
“Votimi unanim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për daljen e Shqipërisë nga sistemi i monitorimit të përhershëm të KiE është një tjetër rikonfirmim i arritjeve të reformave, konsolidimit të vlerave dhe institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës, mbrojtjes së lirive e të drejtave të njeriut”, theksoi Nikolla.
Kryetarja e Kuvendit gjithashtu, falënderoi delegacionin e Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe lobimin e fuqishëm për prezantimin e progresit dhe sukseseve të Shqipërisë.